Pranë ambienteve të “Hotel Sheraton” u zhvillua sot prezantimi i Reformës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në vendin tonë. Gjatë këtyre 22 muajve qeverisje, bazat e kësaj reforme u hartua nga Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, përmes asistencës dhe mbështetjes së Këshillit të Evropës dhe ekspertëve të Bankës Botërore.
Pjesëmarrës në prezantimin e kësaj reforme ishin Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, Ministri i Drejtësisë, Z. Nasip Naço, Ministri i Financave, Z. Shkëlqim Cani, Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, Znj. Alma Hicka, Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Znj. Sonila Qato, si dhe Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Z. Marco Leidekker, të cilët diskutuan gjatë fjalës së tyre rëndësinë e zgjidhjes përfundimtare të kësaj problematike për sigurimin e të drejtës së pronës, rolin e saj në zhvillimin ekonomik dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Më poshtë fjala e mbajtur nga Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, Znj. Alma Hicka:
Proceset reformuese vështirë se mund të jenë të thjeshta dhe ajo që sot paraqet ligji për kompensimin e pronave është një reformë shumë e dhimbshme për interesat e shtetit shqiptar. Ndonjëherë dhimbjen e reformave e paguajnë qytetarët dhe ndonjëherë e paguan ajo që është pasuria jonë e përbashkët, pasuria e shtetit; dhe kjo fundit na shqetëson shumë si mua dhe z. Cani si Ministër i Financave.
Megjithatë ndërsa Z. Cani ka për detyrë të bëjë një politikë të kujdesshme financiare, unë si Avokate e Përgjithshme e Shtetit jam e detyruar t’i kujtoj herë pas herë Qeverisë implikimet ligjore të veprimeve të saj, sidomos në Gjykatat Ndërkombëtare; dhe Ju siguroj kjo s’më bën aspak një njeri të pëlqyer në disa raste.
Këtu sot doja të përmendja se beteja për forcimin e shtetit ligjor nuk është e thjeshtë për asnjë Qeveri, por ajo është me siguri beteja më e rëndësishme.
Sot, Qeveria paraqet një draft-ligj për përmbylljen e këtij procesi të lodhshëm dhe të vështirë 22 vjeçar dhe sidomos të një plage tjetër të shoqërisë shqiptare, duke riparuar një padrejtësi të kryer 70 vite më parë dhe një padrejtësi më të madhe se ajo, padrejtësinë e administrimit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave ndër vite.
Kjo është dhe do të ishte në çdo rast një reformë e dhimbshme për çdo shoqëri, por vetëm një Qeveri që ka nën prioritet e veta ndërtimin e një shteti ligjor duhet ta kryejë atë.
Ligji i ri i paraqitur për konsultim zgjidh atë që është thelbi i çështjes, balancën e drejtë midis të drejtave të subjekteve të shpronësuara dhe angazhimit të një shoqërie demokratike për të riparuar një shkelje 70 vjeçare në njërën anë, dhe interesit publik nga ana tjetër. Zgjidhja është ajo që çdo mendje e interesuar barazisht si për interesat e pronarëve dhe të publikut do të jepte pa u menduar gjatë; do t’i japim pronarëve atë që ju është marrë në vitin 1945, dhe do të mbajmë për shoqërinë vlerën që i është shtuar pronave si kontribut i publikut gjatë 70 viteve, për pjesën më të madhe në kushte detyrimi nga regjimi i shkuar politik. Procesi i kthimit dhe kompensimit nuk mund të jetë shkas që dikush të marrë mbrapsht më shumë se ç’i është marrë në 1945 për shkak të kontributit të të gjithë shoqërisë.
Nga ana tjetër kjo është arsyeja pse shumë mendje të interesuara kanë nisur të përqeshin reformën dhe do ta bëjnë deri në fund besoj, të sigurtë se reforma ndërpret mundësinë e pasurimit të tyre të padrejtë.
Kostoja e këtij procesi, është e pashmangshme; Ajo do të paguhet sidoqoftë nga shoqëria shqiptare si në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga buxheti i shtetit, apo duke hequr dorë nga pronat e paluajtshme të përbashkëta; dhe kostoja nuk është e vogël.
Shpesh dhe pa të drejtë kostoja e këtij procesi komentohet si gjoba për Qeverinë nga Gjykata e Strasburgut dhe meqenëse sot m’u dha rasti, dëshiroj të saktësoj se Gjykata thjesht na ka thënë atë që Ne të gjithë e kishim shumë të qartë. Ka pasur për vite me radhë një keqadministrim të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, keqadministrim i cili ka çuar në shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe mbi të gjitha procesi nuk kishte asnjë perspektivë të qartë zgjidhjeje.
Në vitin 2006 Gjykata e Strasburgut nxori vendimin e parë në lidhje me situatën e veprimit të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës dhe vetëm sot, vetëm pas punës së kujdesshme dhe të palodhur të zhvilluar për studimin dhe qartësimin e situatës nga zj. Qato dhe ekipi i saj në AKKP, është bërë e mundur të prezantohet për herë të parë një draft-ligj mbi të cilin mund të diskutohet publikisht dhe me grupet e interesit.
Draft-ligji mban në konsideratë ato që janë kërkesat kryesore të Gjykatës së Strasburgut në vendimin pilot Manushaqe Puto dhe konkretisht;
– Drafti-ligji është paraqitur pas një analize të kujdesshme të kuadrit ligjor dhe implikimit financiar te tij.
– Një regjistër dhe një numër përfundimtar vendimesh është sot në dispozicion të Agjencisë.
– Një hartë dixhitale po përgatitet me gjithë vendimmarrjen në vite duke përshpejtuar procesin dhe duke bërë të mundur realizimin e tij në afatin e përcaktuar në ligj.
– Një afat përfundimtar prekluziv është caktuar për aplikime të reja duke mbyllur procesin në mënyrë përfundimtare.
– Një formulë e qartë që trajton në mënyrë të barabartë të gjithë subjektet e shpronësuara duke lidhur vlerën e kompensimit që do të merret me vlerën e pronës që u shtetëzua është hartuar.Në përgjigje të gjitha shqetësimeve të ngritura mbi formulën e re të kompensimit, dëshiroj të rikujtoj atë që Gjykata e Strasburgut ka theksuar tashmë prej vitesh në praktikën e saj të konsoliduar dhe citoj:
Konventa nuk mund të interpretohet si vendosje e detyrimit të përgjithshëm mbi Shtetet Kontraktuese për të kthyer pronën e transferuar në favorin e tyre, para ratifikimit të Konventës. Nuk ekziston ndonjë detyrim i përgjithshëm, sipas Konventës për krijimin e procedurave nëpërmjet të cilave mund të kërkohet kthimi i pronave. Megjithatë, kur një Shtet Kontraktues vendos të krijojë procedura ligjore të këtij lloji, ai nuk mund të përjashtohet nga detyrimi për të respektuar të gjitha garancitë përkatëse të parashikuara nga Konventa, veçanërisht në nenin 6 § 1.
Në përfundim, shteti shqiptar ka marrë tashmë prej 22 vitesh përsipër detyrimin për të riparuar atë që ka qenë një shpronësim i padrejtë, në vitin 1945, duke nxjerrë vendime administrative dhe gjyqësore që njohin këtë të drejtë, prandaj dhe vetëm për këtë arsye, sot mbi shtetin dhe shoqërinë shqiptare rëndon barra e ekzekutimit të këtyre vendimeve; është në diskrecionin dhe vlerësimin e plotë të shtetit shqiptar të përcaktojë mënyrën e ekzekutimit të këtyre vendimeve në balancë të plotë me atë që kërkon interesi publik dhe është pikërisht kjo ajo që po ndodh sot me paraqitjen e këtij draft-ligji.