Shpallje vende vakante në Avokaturën e Shtetit

AVOKAT SHTETI NË ZYRËN E PËRFAQËSIMIT NË GJYKATAT E HUAJA, NDËRKOMBËTARE DHE NË ARBITRAZHIN NDËRKOMBËTAR.

Avokatura e Shtetit është institucion qendror i administratës publike, i ngarkuar ekskluzivisht për dhënien e asistencës juridike për institucionet shtetërore dhe entet publike. Asistenca juridike përfshin shërbimin këshillimor dhe të përfaqësimit.

Në mbështetje të organikës dhe strukturës aktuale të Avokaturës së Shtetit,  miratuar  me urdhrin nr. 150, datë 10.11.2015 të Kryeministrit të RSH-së “Për disa ndryshime në Urdhrin nr. 98 dt. 21.02.2014 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së avokaturës së shtetit”, si dhe në referim të ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit”, të nenit 25, pika “4” të Rregullores së Brendshme të Avokaturës së Shtetit, miratuar me urdhrin nr. 275/1, datë 14.01.2009 të Ministrit të Drejtësisë, Avokatura e Shtetit shpall vendet vakante për pozicionin “Avokat Shteti” pranë Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, në Zyrën e Përfaqësimit në Gjykatat e Huaja, Ndërkombëtare dhe në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Kushtet dhe kriteret e aplikimit:

1. Avokat i Shtetit mund të emërohet çdo shtetas shqiptar, që plotëson kushtet e mëposhtme:

a) Të jetë diplomuar sipas sistemit të vjetër me titullin “Jurist” ose sipas sistemit të ri të disponojë gradën “Master i Shkencave”.

b) Të ketë një përvojë pune në praktikën gjyqësore ose administrative prej të paktën 5 vitesh;
c) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale, ose të mos jetë larguar nga shërbimi civil apo çdo funksion tjetër publik për shkelje ose paaftësi në kryerjen e detyrave;

d) Të mos jetë në kushtet e konfliktit të interesit, sipas dispozitave të këtij ligji;

e) Të plotësojë kriteret e tjera morale dhe profesionale.

f) Të njohë një nga gjuhët në vijim: Anglisht, Frëngjisht, Gjermanisht ose Italisht.

2. Në rastin e shtetasit shqiptar, të diplomuar për drejtësi, me rezultate të larta, në universitete të njohura të huaja, apo të diplomuar në shkolla pasuniversitare, ekuivalente me Shkollën e Magjistraturës, kushti i përvojës në punë, i përcaktuar në shkronjën “b” të pikës 1 të këtij neni, është të paktën 3 vjet.

3. Të diplomuarit në Shkollën e Magjistraturës përjashtohen nga kushti i përvojës në punë, të përcaktuar në shkronjën “b” të pikës 1 të këtij neni.

Përshkrimi i përgjithshëm i punës (detyrat kryesore) për këtë pozicion janë:

Avokatët e shtetit të kësaj zyre, të ndihmuar nga juristët, kanë këto detyra:

a)      Përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e Republikës së Shqipërisë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe gjykatave ose institucioneve të tjera ndërkombëtare.

b)      Përgatisin me shkrim çdo akt lidhur me përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar në gjykim, si dhe koordinojnë aktivitetin me institucionet e treta për këtë qëllim.

c)      Ndjekin udhëzimet e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit që kanë të bëjnë me veprimtarinë e zyrës.

d)     Raportojnë për pasojat që rrjedhin nga çështje në të cilat është i interesuar shteti shqiptar dhe për ato çështje që, aktualisht ose në të ardhmen, mund të cenojnë interesat e shtetit shqiptar.

e)      Paga referuese për këtë pozicion II-b + 10 000

Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit

  • Jetëshkrim i plotësuar në përputhje me formatin Evropian.
  • Fotokopje të diplomës (përfshirë edhe diplomën Bachelor). Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të përcillet njehsimi nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit;
  • Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  • Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  • Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  • Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
  • Vlerësimin e fundit nga eprori direkt;
  • Vërtetim nga institucioni që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
  • Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;

Dorëzimi i dokumenteve mund të bëhet në adresën e Avokaturës së Shtetit si më poshtë:

Avokatura e Shtetit
Rr. Abdi Toptani, Nd. 5, Kati IV.
Tiranë, Shqipëri

Ose në adresën e emailit: kabineti@avokaturashtetit.gov.al

Afati për aplikim është data 15 Shkurt 2018.