Forumi rajonal mbi Shtetin e së Drejtës

Avokatja e Përgjithshme e Shtetit znj. Alma Hicka mori pjesë, së bashku me profesionistë të tjerë të fushës së ligjit, në Forumin e parë Rajonal mbi Shtetin e së Drejtës për Evropën Juglindore, i cili u zhvillua në datat 28 dhe 29 mars 2014 në Budva, të Malit të Zi. Qëllimi i këtij forumi ishte promovimi i zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rajon, inkurajimi i bashkëpunimin rajonal në zhvillimin e vazhdueshëm të Shtetit të së Drejtës dhe të Drejtave të Njeriut, si dhe asistimi i procesit të integrimit të rajonit në BE.

Pjesëmarrës në forum ishin gjyqtarë nga vendet e rajonit, të cilët shërbejnë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, përfaqësues të Gjykatave të Larta dhe Gjykatave Kushtetuese të rajonit, Drejtorë të Shkollave dhe Institucioneve të Trajnimit të Gjyqtarëve, agjentë qeveritarë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe përfaqësues të OJQ-ve dhe ekspertë të shquar ligjorë të fushës nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Forumi u organizua nga qendra AIRE dhe Organizata e Mbrojtësve të të Drejtave Civile, në partneritet me Qeverinë e Malit të Zi. Pas fjalës së hapjes nga zëvëndëskryeministri, njëkohësisht dhe Ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Dushko Markoviç, konferenca u ndërtua mbi diskutimet e fokusuara në zhvillimet e fundit të praktikës gjyqësore të GjEDNJ-së dhe në diskutime me gjyqtarët kombëtare për zbatimin në nivel kombëtar të Konventës për rajonin. Një numër disproporcionalisht i lartë kërkesash vijnë nga rajoni para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe ato shpesh tregojnë për një mangësi në të kuptuarin e jurisprudencës së Gjykatës. Qëllimi i konferencës ishte identifikimi i pengesat kryesore për zbatimin efektiv të Konventës në nivel kombëtar, nxitja e bashkëpunimit rajonal në kapërcimin e këtyre pengesave dhe krijimi i një mundësie për të gjithë pjesëmarrësit për të ndarë dhe përfituar nga përvojat e njëri-tjetrit.

Gjatë konferencës u prezantua baza e të dhënave që do të përmbajë jurisprudencën e GjEDNJ-së në gjuhën kombëtare, e cila është rezultat i bashkëpunimit të ekipit ligjor të Qendrës AIRE me Agjentët Qeveritarë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të rajonit. Baza e të dhënave do t’u sigurojë gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë ligjor një qasje më të lehtë në jurisprudencën e GjEDNJ-së në gjuhët e tyre kombëtare duke kontribuar në këtë mënyrë në forcimin e zbatimit të Konventës në nivel kombëtar.