Aktivitet trajnues me temë Mbështetja e zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri

 

 

Aktiviteti ne Pogradec

35 Avokatë Shteti nga zyrat qendrore dhe rajonale të Tiranës, Durrësit dhe Korçës ishin pjesë e aktivitetit të ngritjes së kapaciteteve për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe të drejtave të pronës, që u zhvillua në datat 27-28 maj në Pogradec. Trajnimi i organizuar në kuadër të aksionit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Mbështetja e zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri (D-REX)”, kishte për qëllim angazhimin aktiv të stafit të Avokaturës së Shtetit dhe përfaqësuesve nga zyrat e saj rajonale për të diskutuar dhe mësuar më shumë rreth sfidave kryesore dhe përpjekjeve të ndërlidhura për një zbatim efikas të masave individuale dhe të përgjithshme të vendosura nga GJEDNJ në vendimet e saj ndaj Shqipërisë.

Drejtuar nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Odise Moçka, me mbështetjen e dy pedagogëve të shquar të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, diskutimet stimuluese u fokusuan në disa vendime të GJEDNJ-së si Beshiri kundër Shqipërisë, Strazimiri kundër Shqipërisë, Kola dhe Bara kundër Shqipërisë, si dhe legjislacioni kyç, duke theksuar rolin specifik të Avokatit të Shtetit në lidhje me regjistrimin e pronave dhe finalizimin e proceseve  kalimtare të pronësisë.