Programi i dytë i praktikës profesionale pranë Avokaturës së Shtetit

praktikaNë ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, u zhvillua sot ceremonia e fillimit të programit të dytë të praktikës profesionale 6-mujore pranë Avokaturës së Shtetit për 15 studentët e përzgjedhur, aktualisht në vitin e fundit të programeve Master pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Kjo nismë e Avokaturës së Shtetit zhvillohet për vitin e dytë radhazi me përkrahjen programit të USAID për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST).

Institucioni i Avokaturës së Shtetit synon që këtë nismë ta shndërrojë në një traditë të vazhdueshme, me qëllim aftësimin profesional të brezave të ardhshëm të justistëve.

Më poshtë fjala e mbajtur nga Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, znj. Alma Hicka:

I nderuar Zoti Carver,

Të nderuar avokatë shteti,

Të dashur studentë,

Vitin e kaluar, gjatë fjalës time në ceremonitë e hapjes dhe të mbylljes së programit të parë të praktikës profesionale të zhvilluar pranë Avokaturës së Shtetit, u zotova që ishte qëllimi jonë që kjo praktikë të kthehej në një traditë të përvitshme. Prandaj sot ndihem shumë krenare që jemi këtu sërish me Zotin Carver, drejtor i programit JuST të USAID, dhe me ju studentë, në përmbushje të këtij zotimi.

Praktika profesionale është një mundësi shumë e mirë për të gjithë ju studentë që të vini në zbatim njohuritë e marra në auditorët e Fakultetit të Drejtësisë. Gjatë këtyre gjashtë muajve pranë nesh, ju do të keni mundësi jo vetëm të njiheni nga afër me praktikat gjyqësore, por edhe të hartoni padi, ankimime, rekurse dhe akte të tjera nën mbikëqyrjen e avokatëve të shtetit, si pjesë e punës së tyre të përditshme. Njohja nga afër me procedurat në sallën e gjyqit do t’ju aftësojë të jeni të gatshëm të përballeni menjëherë me tregun e punës në përfundim të studimeve tuaja.

Gjatë këtyre gjashtë muajve, ju do të shndërroheni de facto në asistentë të avokatëve të shtetit, duke u përfshirë në një tematikë mjaft specifike të fushës juridike, siç është mbrojtja e interesave pasurorë të shtetit Shqiptar jo vetëm në gjykatat kombëtare, por edhe ato ndërkombëtare, arbitrazh apo edhe në Strasburg.

Siç ishte rasti edhe me 21 studentët që filluan praktikën vitin e kaluar, nga ju kërkohet një përkushtim maksimal. Nga sa përmenda më lart, ju do të shndërroheni ne asistentë të mirëfilltë të trupës së avokatëve të shtetit. Për këtë shkak, duke marrë parasysh edhe ngarkesën voluminoze të çështjeve që ata kanë në ngarkim, inputi juaj do të jetë i domosdoshëm në arritjen e qëllimit të përfitimit të ndërsjellët që synon ky bashkëpunim.

Në përfundim të këtyre gjashtë muajve, ne kemi besimin që ju do të arrini të përftoni njohuri juridike të mjaftueshme për të patur një karrierë të suksesshme në të ardhmen. Atyre studentëve që do t’u përkushtohen gjithë periudhës së praktikës, do t’u jepen certifikata dhe letra rekomandimi në përfundim të programit. Kam besimin që, sikur ishte rasti edhe me programin e parë të vitit të kaluar, shumë prej jush do kërkojnë të qëndrojnë edhe më gjatë, pas përfundimit të periudhës 6-mujore, për të thelluar më tej njohuritë praktike të përftuara përgjatë bashkëpunimit me avokatët e shtetit.

Sigurisht, prania juaj sot në këtë sallë nuk do ishte e mundur pa mbështetjen e programit JuST të USAID, me në krye Zotin John Carver, dhe stafin e tij të përkushtuar. Duke sjellë eksperiencën e dhjetëra viteve të praktikave profesionale të studentëve pranë institucioneve shtetërore dhe private në Shtetet e Bashkuara, mund të them që ndihma e Zotit Carver ishte një shkëndijë e cila mundësoi fillimin e nismave të tilla edhe në vendin tonë.

Duke ju uruar shumë suksese studentëve praktikantë, njëkohësisht falënderoj edhe avokatët e shtetit për përkushtimin në edukimin e brezave të ri të juristëve. Faleminderit!

Lista emërore e 15 studentëve të përzgjedhur për praktikën profesionale:

1. Nertila Gjikondaj
2. Anisa Ahmetaj
3. Zhoela Kullolli
4. Xhulian Caka
5. Albana Porshka
6. Erjon Kaza
7. Lindita Alliu
8. Pranvera Qela
9. Esmeralda Nasufi
10. Laureta Ciraku
11. Diana Malaj
12. Fidane Leka
13. Aurora Leka
14. Adela Kula
15. Klaudia Qerimi