Nënshkruhet marrëveshja ndërinstitucionale e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së pronës

nenshkrimi 2Prokuroria e Përgjithshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Policia e Shtetit dhe Avokatura e Shtetit, në praninë e Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama, firmosën një marrëveshje të përbashkët për bashkëpunim ndërinstitucional kundër abuzimit me pronat, më 29 gusht 2015, në Vlorë.

Nënshkrimi i marrëveshjes u bë gjatë konferencës  që u zhvillua në Vlorë, ku u njoftua edhe nisja e veprimit ndërinstitucional, bazuar në bashkëpunimin intensiv që garanton kjo marrëveshje, për t’i dhënë përgjigje abuzimit, përfitimit korruptiv dhe tjetërsimit të pronës përmes falsifikimit.

Më poshtë fjala e plotë e Avokates së Përgjithshme të Shtetit, znj. Alma Hicka gjatë këtij takimi:

I nderuar Z. Kryeministër,

I nderuar Z. Llalla,

E nderuar Zj. Qato,

I nderuar Z. Çako,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ata që kanë punuar qoftë edhe për pak kohë më pronat në vendin tonë e kanë të qartë se sa shumë është abuzuar në kurriz jo vetëm të shtetit, por edhe të pronarëve legjitime në procesin e  kthimit dhe kompensimit të pronave. Dhe një nga problemet kyçë të këtij procesi ka qenë dhe mbetet përdorimi i dokumenteve të falsifikuar në këtë proces duke grabitur pasuritë publike por edhe atë private.

Përfituesit kanë përdorur gjithçka dhe kanë marrë ç’të mundnin, por ndërsa individët privatë e kanë mbrojtur pronën e tyre, pak është bërë në mbrojtje të pronës shtetërore në këtë drejtim. Ndërsa është detyrë dhe luftë e përditshme e Avokaturës së Shtetit zhvillimi i proceseve gjyqësore në mbrojtje të pronës shtetërore apo publike, bashkërendimi me institucionet e tjera siç janë Prokuroria, Policia e Shtetit dhe Agjencie e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, do t’i japi kësaj lufte një hov të ri duke e bërë atë më efikase.

Çelësi i suksesit është pa asnjë dyshim në bashkëpunimin institucional, në mënyrë që ata që kanë përfituar prona në kurriz të shoqërisë të mos munden dot ti gëzojnë ato, dhe as të munden të fshihen në garancitë proceduralë që afron një sistem demokratik për standardet e gjykimit, me qëllim që të gëzojnë qoftë edhe një ditë më shumë atë që kanë përfituar pa të drejtë.

Në këtë proces një rol të padiskutueshëm do të luajnë edhe Gjykatat, të cilat do të duhet në këtë rast të jenë në anë të së drejtës.

Edhe nëse procesi i rregullt dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut diktojnë nevojën për të mos proceduar me dënimin e autorit, në rastet e kalimit të afateve të parashkrimit, asnjë garanci dhe asnjë të drejtë nuk njeh ligji, që ajo që është përfituar me të padrejtë, si rezultat i veprës penale t’i mbetet fajtorit. Përkundrazi standardet demokratike dhe ligjore kërkojnë qoftë edhe për efekt të parandalimit të përgjithshëm, me qëllim që askush të mos krijojë bindjen që do të gëzojë një pronë të marrë në mënyrë të kundërligjshme, që këto pasuri të kalojnë në të ardhurat e shtetit.

Me anë të kësaj marrëveshjeje, sot synojmë t’i japim fund kësaj dukurie njëherë e përgjithmonë, si dhe të korrigjojmë, me sa kemi mundësi, gabimet e së shkuarës. Kjo marrëveshje do të mundësojë një bashkëpunim të gjerë mes institucioneve tona në identifikimin, hetimin dhe procedimin e rasteve të vjedhjes së pronës nëpërmjet falsifikimit të dokumentacionit. Në marrëveshje përfshihet edhe nisja e proceseve gjyqësore civile, krahas atyre penale, kur këto raste kundërvajtëse i shkaktojnë dëm pasuror shtetit shqiptar.

Task-forca që ngrihet si pasojë e kësaj marrëveshjeje do të ketë një hapësirë të gjerë veprimi në hulumtimin e këtyre shkeljeve dhe dënimin e përgjegjësve, duke krijuar një model për parandalimin e falsifikimeve të dokumentacionit të pronave në të ardhmen dhe sidomos duke kthyer në pronësi të shëtit të gjitha ato prona të cilat janë marrë më anë të falsifikimeve apo një veprimtaria të kundërligjshme.

Falë këtij bashkëpunimi, së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave e çojmë forcimin e shtetit ligjor një hap më tutje, në përmbushje të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

Faleminderit!