Kryetari i Gjykatës së Lartë promovon librin mbi “Standardet e Gjykimit Civil, Administrativ dhe Penal përmes vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë”

unnamedKryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Xhezair Zaganjori, gjatë paradites së datës 13 Shkurt 2015, pati një takim me Avokatët e Shtetit, për të promovuar librin e tij, të botuar së fundmi, mbi “Standardet e Gjykimit Civil, Administrativ dhe Penal përmes vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë”.

Në këtë takim mori pjesë Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, znj. Alma Hicka si dhe stafi i Avokaturës së Shtetit.

Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, znj. Alma Hicka e falënderoi Kryetarin e Gjykatës së Lartë për këtë takim dhe për nderin e veçantë që kanë Avokatët e Shtetit të njihen me këtë libër, pikërisht nëpërmjet ideatorit të tij gjatë këtij promovimi.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Zaganjori gjatë prezantimit të tij theksoi rëndësinë e këtij botimi, i cili nëpërmjet unifikimit të praktikave synon të përmirësojë cilësisë në të gjitha shkallët e gjykimit, në uljen e volumit të punës në vendimmarrje pranë Gjykatës së Lartë, si një hap përpara për drejtësinë në vendin tonë dhe luftën kundër korrupsionit.

Ministri i Drejtësisë gjatë fjalës së tij, vlerësoi botimin e këtij libri , shprehu mirënjohjen dhe kënaqësinë që Kryetari i Gjykatës së Lartë mori pjesë në këtë aktivitet, si dhe sugjeroi që të organizohen edhe aktivitete të tjera promovuese me aktorë të tjerë të drejtësisë dhe me sektorë brenda Ministrisë së Drejtësisë.

Botimi “Standardet e Gjykimit Civil, Administrativ dhe Penal përmes vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë” iu vu në dispozicion të gjithë Avokatëve të Shtetit nga Gjykata e Lartë, për përdorim dhe referim në mbrojtje të interesave pasurorë të shtetit shqiptar.